Prezenca e OSBE-së shpall nismën “Për një drejtësi pa vonesa” në mbarë vendin
SHKODËR, Shqipëri, 25 maj 2016 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, bashkë me USAID-in dhe Agjencinë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim, prezantuan sot fazën e re të nismës “Për një drejtësi pa vonesa” në Shkodër, Shqipëri, me synim rritjen e efikasitetit të proceseve gjyqësore, duke pakësuar vonesat e panevojshme.
Gjyqtarët dhe personeli ndihmës, nën drejtimin e Prezencës, USAID-it dhe partnerëve vendorë, do të analizojnë shkaqet rrënjësore të vonesave në gjykatën e tyre dhe do të përkushtohen për të përmirësuar planifikimin dhe administrimin e çështjeve, duke forcuar bashkëpunimin me palët gjyqësore, përfshi këtu edhe institucionet shtetërore. Kështu, gjykatat përfitojnë nga dobitë e teknikave të menaxhimit aktiv të çështjeve dhe qytetari përfiton qasje më të mirë në drejtësi.
“Gjykatat kanë shënuar progres të konsiderueshëm në pakësimin e numrit të seancave dhe kohëzgjatjes mesatare të procedimeve gjyqësore, pa ndryshime në legjislacion dhe pa burime buxhetore shtesë”, theksoi Ambasadori Florian Raunig, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri. “Kjo arritje jo vetëm që ishte e dobishme për palët gjyqësore në ato rrethe, por shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të cilësisë së drejtësisë anembanë Shqipërisë. Ajo shfaq potencialin e qartë që gjithë shqiptarët të përfitojnë një drejtësi efikase në të gjitha gjykatat e shkallës së parë në mbarë vendin”.
Ambasadori austriak, Johann Sattler, deklaroi se: “Shtrirja e projektit “Për një drejtësi pa vonesa” tashmë synon të rritë besimin e qytetarit te gjyqësori”.
Kjo nismë zbatohet nga Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it “Drejtësi për të Gjithë”, me financimin e Agjencisë Austriake të Bashkëpunimit për Zhvillim. Nisma u zhvillua nga Prezenca dhe USAID-i pas studimit të kryer prej Prezencës, i cili tregoi se pothuaj gjysma e seancave gjyqësore në Shqipëri janë joproduktive, ku as nuk jepen argumente, as qarkullohen dokumente, as merren prova dhe as paraqiten kërkesa.
Nisma “Për një drejtësi pa vonesa” e pati pikënisjen e saj si një projekt pilot në Gjykatën e Krujës në shkurt të vitit 2014 dhe pak më vonë u përqafua edhe nga Gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Nisur nga suksesi i projektit në këto katër gjykata nismëtare, si dhe duke pasur mbështetjen e fortë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, nisma “Për një drejtësi pa vonesa” do të shtrihet me sukses në të 18 gjykatat e rrethit të Shqipërisë në tre vitet në vazhdim.