Redaksia e lajmeve
Prezenca e OSBE-së ndihmon policinë shqiptare për t’iu përgjigjur më mirë migracionit të parregullt
24 mars 2016
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri nisi sot një sërë seminaresh për policinë e kufirit dhe migracionit me synim rritjen e kapaciteteve të saj për t’iu përgjigjur më mirë sfidave të migracionit të parregullt, veçanërisht në kuadër të fluksit të shtuar të emigrantëve në Ballkanin Perëndimor.
I pari i këtyre seminareve, të cilat organizohen në partneritet të ngushtë me Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit dhe Migracionit, u zhvillua sot në Korçë, ku rreth 20 punonjës të policisë kufitare dhe të migracionit u trajnuan për masat që duhen marrë për t’iu përgjigjur situatës.
Temat e seminarit u bazuan në prirjet e identifikuara nga Frontex dhe Europol dhe përfshinë itineraret, përzgjedhjen e emigrantëve, profilizimin e luftëtarëve të mundshëm terroristë dhe zbulimin e veprave penale. Seminari u drejtua nga ekspertë të Njësisë Kombëtare Shqiptare të Europolit dhe të Policisë së Kufirit dhe Migracionit.
Prezenca e OSBE-së, së bashku me partnerët e saj shqiptarë, do të organizojë seminare të ngjashme, gjatë ditëve në vijim, me policinë e kufirit dhe migracionit në Gjirokastër dhe Shkodër.