Gjykata e Tropojës pakëson vonesat e paarsyeshme të gjyqeve, pas zbatimit të projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, të nisur nga OSBE-ja dhe USAID-i
BAJRAM CURRI, 16 shkurt 2016 – Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë paraqiti sot rezultatet e para të projektit “Për një drejtësi pa vonesa”, të nisur nga OSBE-ja dhe USAID-i, të cilat tregojnë se efiçenca e seancave gjyqësore është përmirësuar ndjeshëm.
Një vit pas fillimit të projektit, gjykata ka ulur numrin e seancave joproduktive nga 40 në 8 për qind në çështjet civile dhe nga 38 në 23 për qind në çështjet penale. Këto rezultate u arritën falë menaxhimit aktiv të çështjeve nga gjykatësit dhe personeli i gjykatës, me gjithë shtrëngesat infrastrukturore dhe pa asnjë ndryshim ligjor apo pajisje a buxhet shtesë.
“Qytetarët meritojnë një sistem gjykatash të efektshëm, të pavarur dhe të besueshëm, që garanton drejtësi të vërtetë dhe në kohë”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, në veprimtarinë e sotme, në të cilën u mblodhën zyrtarë të lartë shqiptarë, gjykatës, prokurorë dhe avokatë. Në të folën edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetari i gjykatës së Tropojës, Artan Hajredinaj dhe drejtori i USAID-it në Shqipëri, Marcus Johnson.
Raunig tha se Prezenca e OSBE-së është një pjesëmarrëse aktive në reformën në drejtësi, por theksoi se “reforma mund ta arrijë objektivin 'drejtësi për të gjithë’ vetëm nëse zbatohet këtu, mes maleve të Tropojës, si dhe në çdo gjykatë tjetër të Shqipërisë”. Ai shtoi se Prezenca pret të shohë një debat politik konstruktiv për përfunduar reformën në drejtësi.
“Për një drejtësi pa vonesa” filloi si projekt pilot në gjykatën e Krujës, në shkurt 2014 dhe u përqafua shpejt edhe nga gjykatat e Korçës, Pukës dhe Tropojës. Prezenca e OSBE-së dhe Projekti i USAID-it për Forcimin e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) e krijuan këtë projekt pasi një studim i kryer nga Prezenca tregoi se rreth gjysma e seancave në gjykatat shqiptare ishin joproduktive – nuk paraqitej asnjë argument, nuk qarkullohej asnjë dokument, nuk merrej asnjë provë dhe nuk bëhej asnjë kërkesë. Projekti mori mbështetjen e fortë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Prezenca e OSBE-së synon të ndihmojë edhe gjykata të tjera, në të tërë Shqipërinë, që të integrojnë teknikat për menaxhimin aktiv të çështjeve në punën e tyre, për të siguruar drejtësi pa vonesa për të gjithë qytetarët.