Sekretarët e Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor diskutojnë pjesëmarrjen e publikut në procesin ligjbërës, në mbledhjen vjetore të mbështetur nga OSBE-ja
TIRANË, 4 dhjetor 2015 – Sekretarët e Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, që u mblodhën në Tiranë më 3 dhe 4 dhjetor, ranë dakord se është e nevojshme të rritet më tej pjesëmarrja e publikut në proceset legjislative. Ata theksuan, po ashtu, se parlamentet dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku për të mbikëqyrur konsultimin publik të projektligjeve në të gjitha fazat.
Takimi i Sekretarëve të Përgjithshëm, i cili zhvillohet çdo vit që prej 2009-s, u bashkëorganizua nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, me mbështetjen e misioneve të tjera të OSBE-së në Evropën Juglindore.
Sipas Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, takime të tilla ofrojnë një mundësi shumë të mirë për të forcuar më tej bashkëpunimin parlamentar në nivel rajonal. “Vizioni ynë është për një parlament plotësisht transparent, i cili reflekton perspektivën qytetare; për një parlament që është në kontakt me qytetarin; për një parlament të hapur dhe të vullnetshëm për të dhënë informacion dhe llogari”, tha Meta. Ai vlerësoi OSBE-në për asistencën e saj në vazhdimësi për institucionet e shtetit shqiptar dhe shoqërinë civile në promovimin e transparencës.
Zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, theksoi se qytetarët aktivë janë mbrojtësit më të mirë të demokracisë. “Angazhimi i shoqërisë civile është jetësor për zhvillimin e një marrëdhënieje pozitive dhe transparente mes shtetit dhe qytetarëve të tij. Po ashtu, shoqëria civile ka një rol kritik në monitorimin e punës së parlamentit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë”. Wilton përsëriti mbështetjen e vijueshme dhe partneritetin e Prezencës me Kuvendin e Shqipërisë.
Pjesëmarrësit ranë dakord që, në takimet e ardhshme, të shqyrtojnë tema si, autonomia financiare e parlamenteve dhe planifikimi strategjik i veprimtarive të tyre; procedurat për organizimin dhe manaxhimin e peticioneve; si dhe transparenca dhe zhvillimi i teknologjisë.
Takimi i ardhshëm i Sekretarëve të Përgjithshëm të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor do të zhvillohet më 2016, në Malin e Zi.