Prezenca e OSBE-së trajnon mbi 6 000 punonjës policie në prag të zgjedhjeve vendore në Shqipëri
TIRANË, 24 mars 2015 – Rreth 6 300 punonjës policie anembanë Shqipërisë do të trajnohen lidhur me rolin e tyre në procesin zgjedhor, gjatë një sërë trajnimesh, që filluan sot në Tiranë dhe do të vijojnë deri në fund të prillit. Trajnimi, i cili organizohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me Policinë e Shtetit shqiptar dhe me mbështetjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme, zhvillohet në prag të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit.
Duke folur në hapjen e trajnimit, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Florian Raunig, tha: “Për të gjitha zgjedhjet që nga viti 2007, raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it ka vërejtur që roli i policisë ka qenë profesional përgjatë gjithë procesit zgjedhor. Kjo është një arritje e shkëlqyer në vazhdimësi, një nivel që ne të gjithë presim që ta mbani sërish”. Raunig shtoi se megjithëse zgjedhjet e ardhshme janë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, “puna normale e policisë”, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të vijojë me përkushtim të lartë.
“Duam t’ju sigurojmë se Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë të jetë një partnere strategjike jo vetëm gjatë këtij trajnimi, por dhe për të dhënë mbështetje të plotë, këshilla dhe udhëzime për policinë. Ne kemi një qëllim të përbashkët: të ndihmojmë Shqipërinë të zhvillojë një sektor sigurie që u shërben qytetarëve, gëzon besimin e qytetarëve dhe është i përgjegjshëm para tyre”, tha ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, tha se puna e policisë është e një rëndësie të madhe në krijimin e një mjedisi të sigurt për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme dhe demokratike. “Ndaj besimi se policia vepron në mbështetje dhe mbrojtje të të drejtave të qytetarëve është një kusht dhe garanci që qytetarët ta ushtrojnë të drejtën e tyre themelore për të votuar dhe të drejtën për të pasur siguri dhe liri të shprehjes”, tha ai.
Mbi 100 drejtues të lartë e të mesëm policie, përfshirë drejtorët e përgjithshëm, drejtorët në qarqe dhe shefat e komisariateve, do të trajnohen gjatë katër ditëve në vijim. Më pas, do të trajnohen gjashtë grupe trajnerësh, të cilët do të trajnojnë mbi 6 000 punonjës policie.