Prezenca e OSBE-së boton një udhëzues për avokatët në procesin civil
Në një veprimtari të mbajtur më 1 korrik 2014 në Tiranë, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë prezantuan sot një manual ligjor, i cili ka për synim t’i vijë në ndihmë të avokatëve për të përmirësuar performancën e tyre në proceset gjyqësore civile.
Duke ritheksuar angazhimin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për zhvillimin e mëtejshëm të sistemit shqiptar të drejtësisë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Florian Raunig, tha se, krahas rritjes profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vëmendje e veçantë i duhet kushtuar avokatëve dhe përmbushjes së nevojave të tyre. “Ne besojmë se avokatët luajnë një rol kyç, sidomos në procesin civil ku ata janë motori i vërtetë i këtij procesi dhe me përgatitjen e tyre profesionale ndikojnë edhe vetë cilësinë e procesit civil,” tha Ambasadori Raunig. “Botimi i Vademekum për avokatët, këshilla dhe akte për procesin civil është një botim ambicioz dhe fryt i një pune të gjatë dhe të kujdesshme nga ana e të gjithë atyre që morën pjesë dhe ne besojmë se do t’i përmbushë më së miri nevojat e avokatëve”.
Vademekumi synon të shërbejë si një mjet reference në punën e përditshme të avokatit, sidomos atij të ri në profesion, duke paraqitur një qasje të re ndaj procesit civil. Manuali përmban këshilla praktike sa i përket tre aspekteve kryesore të punës së avokatëve: marrëdhënien e avokatit me organet rregulluese të këtij profesioni; marrëdhënien e avokatit me klientin dhe përgatitjet paraprake për një çështje civile; si dhe mbi sjelljen dhe mënyrën e përfaqësimit të klientit gjatë procesit gjyqësor civil.
Manuali është hartuar nga ekspertë të njohur të fushës me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe të Qeverisë norvegjeze.