Prezenca e OSBE-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbështesin financimin transparent të partive politike dhe të fushatave elektorale
TIRANË, 14 Maj 2014 – Përfaqësues të qeverisë, Kuvendit, partive politike, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare u mblodhën sot në Tiranë për të diskutuar çështje të lidhura me financimin e partive politike dhe të fushatave elektorale. Kjo veprimtari organizohej nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Pjesëmarrësve iu drejtuan Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Lefterie Luzi, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, deputeti dhe eksperti për çështje zgjedhore, Oerd Bylykbashi, si dhe Shefi i Njësisë së Qeverisjes Demokratike dhe të Barazisë Gjinore në Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), Marcin Walecki.
“Partitë politike duhet të shërbejnë si modele të integritetit në shoqërinë shqiptare dhe të vendosin në qendër të vendimeve të tyre interesin e publikut”, tha Ambasadori Florian Raunig, Kryetari i Prezencës së OSBE-së. “Mungesa e integritetit dhe transparencës mes partive politike dobëson proceset demokratike të vendit dhe dëmton ekonominë e tij. Po ashtu, ka ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të vendit”.
Ambasadori Raunig tha se KQZ-së i nevojiten burime të mjaftueshme dhe duhet të fuqizohet me ligj për ta monitoruar siç duhet financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore. “KQZ-ja nuk mund ta realizojë e vetme këtë mbikëqyrje. Në një masë të madhe ajo varet nga niveli i bashkëpunimit të partive politike dhe ndërhyrja e institucioneve të tjera shtetërore. Për këtë nevojitet edhe një monitorim i vëmendshëm nga shoqëria”.
Raunig tha se megjithëse kuadri ligjor për financimin e partive politike është përmirësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre viteve të fundit, zbatimi i duhur i tij ende çalon. Ai gjithashtu sugjeroi përmirësime të mëtejshme në legjislacionin zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it të parashtruara në raportet përfundimtare për vëzhgimin e zgjedhjeve.
OSBE/ODIHR rekomandoi në raportin e tij përfundimtar për vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2013 që, në mënyrë që të rritet transparenca për financimin e fushatës, partitë politike duhet të raportojnë rregullisht në KQZ të gjitha të ardhurat dhe shpenzimet e bëra për qëllime të fushatës. Përveç kësaj, KQZ-ja duhet të publikojë raporte financiare paraprake para ditës së zgjedhjeve. Në raportin përfundimtar për zgjedhjet e vitit 2011, OSBE/ODIHR rekomandoi që përfitimi i fondeve publike për financimin e fushatës të varet nga respektimi i kuotës gjinore. Kjo do të përbënte një nxitje shtesë për partitë politike që të rrisin pjesëmarrjen e grave në strukturat e tyre partiake dhe vendim-marrëse.
Të gjitha vendet pjesëmarrëse të OSBE-së janë zotuar që t’i ndjekin pa vonesë vlerësimet dhe rekomandimet zgjedhore të ODIHR-it. Prezenca e OSBE-së është plotësisht e gatshme të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë për të garantuar rregulla të ndershme e transparente për partitë politike, duke përfshirë çështjet e lidhura me financimin e tyre.