Prezenca e OSBE-së ndihmon qeverinë shqiptare për nisjen e reformës administrativo-territoriale
TIRANË, 17 tetor 2013 – Qeveria shqiptare dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bashkëorganizuan sot në Tiranë një konferencë kombëtare, që shërben si një pikë fillese për reformën administrativo-territoriale në vend.
“Reforma administrativo-territoriale është një përbërës kyç për garantimin e një qeverisjeje të mirë dhe pjesë e rëndësishme e mandatit të Prezencës”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Florian Raunig. “Reforma duhet të respektojë dispozitat e Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe, veçanërisht, duhet të garantojë pavarësinë politike, administrative dhe financiare të njësive të qeverisjes vendore. Është thelbësore që procesi i vendimmarrjes për këtë reformë të jetë transparent, përfshirës dhe konsensual”.
Qeveria e Shqipërisë i ka dhënë prioritet reformës administrativo-territoriale si një nismë kyçe që do të përmbushet deri në zgjedhjet vendore të vitit 2015.
Duke folur në konferencë, Kryeministri Edi Rama tha: “Është pak, por e sigurt, që një ndarje e re territoriale administrative do të fuqizojë ekonominë, do të fuqizojë komunitetet në pikëpamje sociale dhe do t’i japë një shans më shumë kulturës së të jetuarit dhe të bashkëjetuarit në këtë vend”.
Ndarja ekzistuese administrative dhe territoriale e Shqipërisë rezultoi në krijimin e njësive shumë të vogla të qeverisë vendore me burime dhe asete të kufizuara, gjë që e bën të vështirë ofrimin e shërbimeve cilësore qytetarëve. Nevoja për një ndarje të re është identifikuar nga disa organizata gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, përfshirë OSBE-në.
“Me të njëjtat burime financimi do të mund të bëhet shumë më tepër vetëm falë ndryshimit të një sërë kufijsh të brendshëm territorialë dhe administrativë. Kjo është tendenca sot kudo”, tha Edi Rama.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadori Ettore Sequi, tha: “Në mënyrë të përsëritur, raporti i progresit për Shqipërinë, përfshirë raportin e vitit 2013, që u prezantua dje nga Komisioneri Füle, ka qenë mjaft i qartë lidhur me shqetësimet e ndryshme për funksionimin e njësive të qeverisjes vendore. Të njohura janë shqetësimet për mbledhjen e të ardhurave, planifikimin strategjik, menaxhimin e burimeve njerëzore, kontrollin financiar, transparencën, si dhe numrin e lartë të personelit me kontrata të përkohshme”.
Prezenca e OSBE-së ka qenë e angazhuar në këtë sferë për shumë vite, duke i ofruar mbështetje qeverisë përmes vlerësimeve dhe rekomandimeve për orientimin e procesit të reformës. Në konferencë, një ekspert i OSBE-së, David Parks, paraqite te pjesëmarrësit një panoramë krahasuese të reformave territoriale.
Veprimtaria e sotme u mbështet edhe nga Këshilli i Evropës, Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri dhe nga Agjencia Austriake për Zhvillim.