Prezenca e OSBE-së, USAID zhvillojnë konferencë për promovimin e lidershipit në sistemin gjyqësor
Promovimi i lidershipit në menaxhimin e gjykatave ishte në qendër të një konference të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me projektin e USAID-it për Forcimin e Sektorit të Drejtësisë në Shqipëri (JuST) dhe në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë, më 15 maj, në Tiranë.
Konferenca Kombëtare “Lidershipi në Drejtësi” mblodhi kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, kryetarë dhe anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe lidershipin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Ky forum i nivelit të lartë u përqendrua në reformat kyçe për promovimin e një transparence më të madhe, efektshmërisë dhe llogaridhënies në gjyqësorin shqiptar, si dhe në përmirësimin e performancës së tij përmes përdorimit të të dhënave ekzistuese dhe teknologjisë.
Konferenca vuri në pah disa nga problemet më të zakonshme të identifikuara nga Prezenca dhe nga programet për reformën në drejtësi të zbatuara nga JuST-i dhe u përqendrua në hartimin e zgjidhjeve praktike për dhënien e një drejtësie më të efektshme, menaxhimin aktiv të gjyqeve dhe demonstrimin e lidershipit në gjyqësor. Përveç kësaj, ajo nxiti më tej përdorimin e sistemeve dixhitale të regjistrimit të audios në gjykatat shqiptare, një sipërmarrje madhore e gjyqësorit shqiptar.
Për të promovuar shkëmbimin e praktikave më të mira, në konferencë u paraqitën edhe përvoja nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa lidhur me ndikimin dhe përvojën pozitive në menaxhimin aktiv të çështjeve.