Prezenca e OSBE-së në Shqipëri paraqet konstatime dhe rekomandime për përmirësimin e gjyqeve civile
TIRANË, 27 mars 2013 – Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi dhe Zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa, paraqitën sot një raport për sistemin e drejtësisë civile në Shqipëri.
Raporti, i cili mbështetet në vëzhgimet e bëra në më shumë se 140 seanca gjyqësore, në katër gjykata rrethesh, vlerëson se sa i përmbush sistemi i drejtësisë civile standardet ndërkombëtare të procesit të drejtë gjyqësor, si dhe rekomandon masa për të rritur më tej efektshmërinë, drejtësinë, transparencën dhe aksesibilitetin e sistemit të drejtësisë.
“Ka pasur përparime të mirëfillta në funksionimin e gjyqësorit në Shqipëri gjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit. Sikurse tregon raporti ynë, ka ende vend për përmirësim, në mënyrë që gjyqësori të përmbushë plotësisht standardet ndërkombëtare. Ky raport duhet të shërbejë si bazë për diskutime të mëtejshme për reformën në drejtësi, përfshirë ndryshimet ligjore dhe praktike në procedurat civile”, tha Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Ambasadori Eugen Wollfarth, në paraqitjen e raportit.
Gjithashtu, ai mirëpriti nxitjen dhe mbështetjen aktive të Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjykatësve dhe stafit të gjykatave për raportin, duke shtuar se Prezenca e OSBE-së shpreson për vijimësinë e bashkëpunimit të ngushtë për çështjet e ngritura.
Gjatë javëve të ardhshme, Prezenca do të angazhohet me një shkallë të gjerë profesionistësh në sistemin e drejtësisë, partnerë ndërkombëtarë dhe organizata të shoqërisë civile, që veprojnë në fushën e reformës së drejtësisë, për t’i shndërruar rekomandimet e përgjithshme të identifikuara në raport në sugjerime më specifike për ndryshime ligjore dhe praktike.