OSBE-ja organizon ushtrim simulues kombëtar në Shqipëri për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike nga sulmet kibernetike terroriste
Forcimi i mbrojtjes dhe gatishmërisë ndaj sulmeve terroristeve që vënë në shënjestër sistemet e kontrollit industrial është në fokusin e ushtrimit simulues, në Tiranë, më 26-27 prill 2017, organizuar nga Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale i Sekretariatit të OSBE-së, me mbështetjen e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Në këtë ushtrim simulues, 28 ekspertë nga institucione të ndryshme qendrore dhe përfaqësues të sektorit privat do të testojnë efikasitetin e sistemeve ekzistuese për mbrojtjen dhe menaxhimin e krizave, përfshirë bashkërendimin me organizmat e jashtëm të menaxhimit të krizave për zbutjen e pasojave të sulmeve. Simulimi synon edhe të përmirësojë partneritetet ndërmjet sektorit publik dhe privat, me qëllim rritjen e sigurisë dhe aftësisë përballuese të infrastrukturës energjetike kombëtare.
"Përhapja e teknologjisë së informacionit e ndihmon përparimin e Shqipërisë, por edhe e ekspozon ndaj kërcënimeve kibernetike që mund të paralizojnë shërbimet thelbësore, duke dëmtuar rëndë shkëmbimin e informacionit mes institucioneve publike, telekomunikacionin dhe sektorin bankar", tha Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Elona Gjebrea, në fjalën e saj para ekspertëve kibernetikë kombëtarë, që i parapriu ushtrimit.
Robert Wilton, Zëvendëskryetar i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri tha: “Me pjesëmarrjen aktive në këtë ushtrim simulues, pjesëmarrësit do të fitojnë përvojë praktike mbi pasojat që sulmet kibernetike terroriste mund të kenë tek infrastruktura kritike energjetike jobërthamore. Gjithashtu, do të jeni më të vetëdijshëm për riskun, si edhe do të kuptoni më mirë pikat e dobëta të sigurisë kibernetike dhe pasojat e mundshme të sulmeve kibernetike te infrastruktura dhe shoqëria.”
Ky simulim në Shqipëri është i katërti i një serie ushtrimesh simuluese kombëtare që Departamenti i Kërcënimeve Transnacionale të Sekretariatit të OSBE-së ka zhvilluar për Shtetet pjesëmarrëse, bazuar në Udhëzuesin me Praktika të Mira për Mbrojtjen e Infrastrukturës Kritike Energjetike nga Sulmet Terroriste me Fokus Kërcënimet nga Hapësira Kibernetike.