Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet Byronë Kombëtare të Hetimit për fuqizimin e kapaciteteve hetimore
Më 24 maj, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përmbylli një program trajnimi tre-ditor për 16 hetues të porsapërzgjedhur të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.
Programi i trajnimeve kishte për synim forcimin e kapaciteteve të përgjithshme të BKH-së së porsathemeluar për të kryer hetime penale kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe grupeve të kriminalitetit të organizuar transnacional. Trajnimi u përqendrua në tema të tilla, sikurse teknikat speciale për hetimin e grupeve të krimit të organizuar, lufta kundër korrupsionit dhe ligjshmëria e përpunimit të të dhënave personale. Modulet e trajnimit u zhvilluan në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Shqipëri, Policinë Federale Kriminale Austriake dhe Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Duke folur në lidhje me trajnimin, Drejtoresha e BKH-së, Aida Hajnaj, vlerësoi përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë për zhvillimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të kësaj agjencie ligjzbatuese. “Procesi i trajnimit të hetuesve është i një rëndësie dhe fokusi të veçantë, pasi lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale të hetuesve dhe rezultatet konkrete të punës së tyre në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë. Inkurajojmë dhe mirëpresim zhvillimin e sa më shumë aktiviteteve të tilla në të ardhmen, si dëshmia më e mirë e partneritetit mes nesh”, tha ajo.
Kjo veprimtari u zhvillua në kuadër të mbështetjes së përbashkët, me përfshirjen e disa prej departamenteve të saj, që Prezenca e OSBE-së ofron në përkrahje të agjencive ligjzbatuese shqiptare për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal. Në përputhje me mandatin e saj në ndihmë të agjencive ligjzbatuese shqiptare për ngritjen e kapaciteteve, përmirësimin e profesionalizmit dhe mbështetjen e zhvillimit dhe reformave në polici, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të vazhdojë ta mbështesë ngritjen dhe funksionimin efikas të BKH-së, në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ICITAP dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.