Misioni i OSBE-së përshëndet legjislacionin e ri për transmetuesin publik
Prishtinë, 13 prill 2012 – Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë Ambasadori Werner Almhofer ka përshëndetur sot dekretimin e ligjit të ri për transmetuesin publik, Radio Televizionit të Kosovës (RTK).
Nënshkrimi i ligjit dje ka përfunduar procesin politik i cili kishte përshirë diskutime me institucionet dhe ekspertët vendor dhe ndërkombëtar. Ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në gazetën zyrtare.
“Një transmetues publik i pavarur, i paanshëm dhe profesional, është i domosdoshëm për promovimin e lirisë së shprehjes dhe të drejtën e njerëzve për të dhënë dhe pranuar informacione”, tha Almhofer. “Ligji i ri për transmetuesin publik në Kosovë do të japë bazë ligjore për të mbrojtur këto të drejta themelore të njeriut, dhe trason rrugën për transmetuesin publik në mënyrë që të pasurojë programet e tij në gjuhët e komuniteteve joshqiptare”.
“Përderisa miratimi i ligjit nga Kuvendi dhe dekretimi i tij janë hapa të rëndësishëm, implementimi është detyrë dhe sfidë e ardhshme madhore”, shtoi ai. “OSBE do të mbështetë komisionin e Kuvendit për media në mbikëqyrjen e zbatimit të drejtë të ligjit nga qeveria dhe transmetuesi publik”.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mandat për promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokratizim, duke përfshirë zhvillimin e mediave. Që nga tetori i vitit 1999 Misioni i OSBE-së ka pasur një rol instrumental në themelimin dhe zhvillimin e transmetuesit publik të Kosovës.