Misioni i OSBE-së në Kosovë promovon vetë-rregullimin e mediave
Konferenca rajonale mbi vetë-rregullimin e mediave organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë për këshillat e mediave të shkruara, institucionet e mediave, asociacionet e gazetarëve dhe për akademikë ka përmbyllur punimet sot, më 2 dhjetor, në Prishtinë.
Përfaqësues të këtyre institucioneve dhe organizatave në Kosovë, si dhe pjesëmarrës nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi, Serbia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar kanë identifikuar praktikat më të mira për sigurimin e pavarësisë financiare të trupave vetë-rregullues dhe kanë miratuar një deklaratë bashkëpunimi për të mbrojtur mediat nga censurimi.
“Vetë-rregullimi përforcon llogaridhënien e mediave të shkruara dhe ndihmon në mbrojtjen e lirisë së shprehjes si standard demokratik dhe liri themelore”, tha zëvendësshefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward Joseph. “Nëse mediat nuk e rregullojnë vetveten, atëherë dikush tjetër mund ta bëjë këtë në vend të tyre, dhe në qoftë se askush nuk i rregullon mediat atëherë ekziston mundësia për humbje të kredibilitetit”.
Pjesëmarrësit në konferencës kanë theksuar se respektimi i etikës së gazetarisë dhe kodit të mediave të shkruara janë parakushte për pavarësinë e mediave dhe zhvillimin profesional, dhe kanë kërkuar themelimin e mëtejshëm të trupave vetë-rregullues për media të shkruara, si dhe dekriminalizimin e shpifjes në tërë rajonin.
“Duhet të ekzistojë një kod i cili parandalon ndërhyrjen politike në media dhe njëkohësisht të shërbejë si një element mbrojtës nga gabimet e mundshme profesionale nga vet mediat. Ne duhet të respektojmë kodin nëse duam që mediat të kenë kredibilitet”, tha Agron Bajrami, kryeredaktor i së përditshmes Koha Ditore dhe anëtar i Bordit të Këshillit për Media të Shkruara (KMSH).
Koncepti i vetë-rregullimit të mediave të shkruara është diçka e re në rajon. KMSH, i themeluar me ndihmën e Misionit të OSBE-së në vitin 2005, tash përfshinë shumicën e mediave të shkruara, si dhe disa media online, dhe punon për të siguruar respektimin e kodit për media të shkruara të Kosovës.
Misioni i OSBE-së promovon zhvillimin e mediave të lira dhe profesionale dhe institucioneve të mediave në Kosovë.