Raporti i Misionit të OSBE-së thotë që shumica e varrezave Ortodokse në Kosovë janë në kushte të mjerueshme
Komunat e Kosovës, të cilat janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e varrezave Ortodokse, priren ta bëjnë këtë në baza ad hoc dhe vetëm në raste të rralla, thotë raporti i Misionit të OSBE-së që është publikuar më 26 tetor 2011.
“Respekti ndaj të vdekurve tregon respektin tonë për të gjallët. Njerëzit duhet të ndjejnë se mund t’i respektojnë të afërmit, miqtë dhe paraardhësit e tyre të vdekur dhe të jenë të lirë ta ushtrojnë lirinë e tyre fetare dhe kulturore. Ky është gjithashtu një aspekt i rëndësishëm i të drejtave të njeriut, që është pjesë e mandatit të Misionit të OSBE-së,” tha Ambasadori Werner Almhofer, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. “Qëllimi i raportit është të ndihmojë institucionet e Kosovës, si dhe organizatat ndërkombëtare e të shoqërisë civile që ta kuptojnë më mirë dhe, kur është e nevojshme, ta përmirësojnë gjendjen e varrezave”.
“Serbët e Kosovës kanë ngritur shqetësime lidhur me gjendjen e mjerueshme të shumë varrezave Ortodokse”, tha ai. “Veprimet për t’i përmirësuar ato do ta inkurajonin dhe lehtësonin dialogun dhe pajtimin ndëretnik si dhe do të ndihmonin për të krijuar kushte më të mira për kthim”.
Sipas raportit, shumë varreza Ortodokse janë në gjendje të mjerueshme si rezultat i përdhosjes së gjerë të objekteve religjioze në periudhën e pas konfliktit të vitit 1999 dhe gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Në gjendje të keqe janë sidomos varrezat në vendet ku serbët e Kosovës nuk janë kthyer.
Raporti përmban një katalog me fotografi që tregojnë gjendjen e 392 varrezave Ortodokse në Kosovë dhe ofron rekomandime se si të përmirësohet gjendja dhe mirëmbajtja e tyre. Raporti në mënyrë specifike kërkon nga komunat që të ndajnë fonde për mirëmbajtje të varrezave, dhe që të angazhohen në mbajtjen e më shumë konsultimeve me komunitetin serb të Kosovës dhe Kishën Ortodokse Serbe.
Raporti dhe katalogu mund të gjenden në: