Misioni i OSBE-së përgatitë juristë të diplomuar nga veriu i Kosovës për provim të jurisprudencës
Misioni i OSBE-së në Kosovë është duke organizuar një seri trajnimesh për juristë të diplomuar nga veriu i Kosovës për t’ju ndihmuar atyre të përgatiten për provimin e jurisprudencës që organizohet nga Ministria e Drejtësisë.
Provimi i jurisprudencës në Kosovë mbahet katër herë në vit për të përcaktuar nëse një kandidat është kualifikuar për të praktikuar ligjin.
Trajnimet kanë filluar nga mesi i tetorit dhe do të vazhdojnë deri në fund të nëntorit 2016. Në to po marrin pjesë 30 juristë të diplomuar të cilët po shtjellojnë të gjitha fushat e provimit, duke përfshirë të drejtën kushtetuese, të drejtën penale, të drejtën civile, të drejtën familjare, si dhe të drejtën trashëgimore; atë për marrëdhëniet e detyrimeve; të drejtën administrative, të drejtën komerciale dhe të drejtën e punës.
Pesë avokatë dhe gjyqtarë serbë të shquar të Kosovës janë duke ligjëruar për aspektet praktike të çdo teme, duke përfshirë këtu organizimin e sistemit gjyqësor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Ky trajnim do të ndihmojë në rritjen e numrit të juristeve që praktikojnë ligjin në veri, gjë që do të rezultojë me një qasje më të mirë në drejtësi për të gjithë qytetarët në Kosovë,” tha Jan Braathu, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Krahas trajnimit përgatitor, rreth 15 pjesëmarrësve pa përvojë pune do t’ju jepet mundësia të punojnë brenda kornizës institucionale qendrore dhe lokale për të fituar përvojën e nevojshme që kërkohet për provim të jurisprudencës.
Kjo nismë është pjesë e përpjekjeve të OSBE-së për të lehtësuar zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës për integrimin e gjyqësorit në veriun e Kosovës.
Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka në mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Misioni e mbështet sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe zhvillon aktivitete programore me qëllim të përmirësimit të performancës së tij.