Fushata e Misionit të OSBE-së në Kosovë trajton pabarazinë në të drejtat pronësore dhe trashëgimore
PRISHTINË, 7 dhjetor 2015 – Misioni i OSBE-së në Kosovë ka nisur sot në Prishtinë një fushatë për të ngritur vetëdijen rreth dallimeve gjinore në të drejtat pronësore dhe trashëgimore.
Fushata përfshin TV dhe radio spote dhe do të vazhdojë për dy javë.
“Qëllimi i fushatës është që të shtojë vetëdijen e publikut, në veçanti grave, për të drejtat e tyre në pronë, me fokus në trashëgimi dhe pronën e përbashkët martesore,” tha Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, gjatë lansimit të fushatës para anëtareve të grupeve parlamentare të grave të nivelit qendror dhe lokal.
“Për OSBE-në, është shqetësues fakti se vetëm rreth 8% e pronës së regjistruar në Kosovë është në pronësi të grave. Ne kemi punuar në mënyrë intensive për ta adresuar këtë çështje në të gjitha nivelet e shoqërisë. Mundësia për të pasur pronë dhe qasje të barabartë në trashëgimi është një hap në drejtimin e duhur drejtë fuqizimit të grave dhe pavarësisë së tyre ekonomike,” shtoi ai.
Fushata pason prezantimin e Udhëzuesit Informativ për Qasjen në Pronë dhe të Drejtat Pronësore të Grave dhe të Burrave në Kosovë nga shtatori deri në nëntor 2015 në të gjitha rajonet e Kosovës. Udhëzuesi është një mjet i rëndësishëm informativ për grupet e grave në nivelin lokal, zyrtarët komunal për barazi gjinore, zyrën e kadastrës dhe institucionet tjera në nivel qendror dhe lokal që punojnë në këtë fushë.
Materialin e fushatës në gjuhën shqipe dhe serbe mund ta gjeni këtu: www.osce.org/sq/kosovo/206736
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike. Fushata është pjesë e përkrahjes së Misionit për të fuqizuar përputhshmërinë e sistemit të drejtësisë me standardet ndërkombëtare dhe standardet për të drejtat e njeriut.