Në Ditën e Demokracisë, Misioni i OSBE-së në Kosovë bën thirrje për angazhim më të madh të publikut
PRISHTINË/PRIŠTINA, 15 shtator 2015 – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u bëri thirrje institucioneve të jenë më të hapura ndaj publikut, dhe shoqërisë civile të marrin rol më aktiv në avancimin e konsolidimit demokratik.
“Misioni vlerëson hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë për të shtuar pjesëmarrjen e publikut. Theksi tani duhet të vendoset në procedura standarde të cilat duhet të rrënjosen në sistem, në mënyrë që angazhimi i publikut të mos mbetet sporadik, por të bëhet praktikë ditore dhe e qëndrueshme,” tha Ambasadori Schlumberger.
Gjatë 12 muajve të fundit, institucionet e Kosovës kanë bërë hapa të rëndësishëm në themelimin e grupeve parlamentare të grave në nivel qendror dhe lokal, duke përfshirë shumicën e komunave në veri. Kuvendi i Kosovës ka përfshirë shoqërinë civile në dëgjimet dhe diskutimet publike, veçanërisht pas miratimit të deklaratës për partneritet me shoqërinë civile vitin e kaluar.
Për më tepër, shumica e komunave kanë vënë në funksion mekanizmat siç janë komitetet konsultative, këshillat e fshatrave, Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi dhe dëgjimet publike për të diskutuar çështjet e kompetencave dhe përgjegjësive të organeve të qeverisjes lokale, për shembull buxhetin dhe financat komunale.
“Strukturat për angazhimin të publikut ekzistojnë; ato thjesht duhet të përdoren më mirë. Si rezultat do të kemi më shumë demokraci dhe transparencë,” përfundoi Schlumberger.
Misioni i OSBE-së në Kosovë mbetet i përkushtuar në përmirësimin dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike duke monitoruar dhe punuar me dhe përmes institucioneve dhe shoqërisë civile në nivelin qendror dhe lokal.