OSBE organizoi takimin përgatitor të grupit punues teknik për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova
PRISHTINË, 15 korrik 2015 – Takimi përgatitor i grupit punues teknik ndër-qeveritar për zgjidhje të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, i organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, me ndihmën e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatë (UNHCR), u përmbyll sot në Prishtinë në një frymë pozitive.
Pjesëmarrësit nga Beogradi, Podgorica, Prishtina dhe Shkupi shqyrtuan një dokument të hartuar nga UNHCR që identifikon nevojat e personave të zhvendosur nga Kosova dhe një koncept-dokument, si dhe u pajtuan që të vazhdojnë procesin. Ata gjithashtu u pajtuan që të mbajnë takimin e radhës së grupit punues teknik në fillim të shtatorit 2015, me mundësinë që të pasohet me një konferencë të nivelit të lartë.
Takimi i grupit punues teknik është vazhdimësi e procesit të nisur në konferencën e nivelit të lartë të organizuar nga OSBE në Shkup në nëntor 2014, që ka pasur për qëllim mbështetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, duke përfshirë kthimin ose integrimin e tyre në vendin ku janë të zhvendosur aktualisht.
Ky takim u dha pjesëmarrësve mundësi të shprehin qëndrimet dhe idetë e tyre se si të zhvillojnë tutje procesin në të mirë të personave të afektuar.