Shefi i Misionit të OSBE-së bën thirrje për zgjidhje financiare afatgjate për transmetuesin publik dhe qasje më të madhe në dokumente publike në Kosovë
Prishtinë, 2 maj 2014 – Në prag të 3 majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, i bëri thirrje institucioneve të nivelit qendror të identifikojnë zgjidhje afatgjate për financimin e trasnmetuesit të vetëm publik të Kosovës, Radio Televizionin e Kosovës (RTK), dhe i inkurajoi ato që tu sigurojnë gazetarëve qasje të papenguar në dokumente publike.
“Mungesa e zgjidhjes financiare afatgjate për RTK-në po kërcënon që të pengojë pavarësinë e saj editoriale dhe të ndërhyjë në detyrën për të informuar, edukuar dhe argëtuar publikun në mënyrë profesionale, etike dhe të paanshme,” tha Schlumberger.
“Gjetja e një zgjidhjeje të tillë për RTK-në duhet të vendoset lartë në agjendën poltike dhe publike,” tha Schlumberger. “Afati ligjor për të gjetur një zgjidhje të tillë nga institucionet qendrore ka kaluar para më shumë se një viti e gjysmë dhe dispozitat aktuale ligjore për financim të përkohshëm vlejnë vetëm deri në maj të vitit të ardhshëm.”
”Është për tu përshëndetur fakti që nën menaxhmentin aktual, RTK ka arritur të zhvillojë edhe tri kanale shtesë dhe të shtojë cilësinë e shërbimeve të veta për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe e inkurajoj RTK-në që të angazhohet sa më shumë që është e mundur në procesin e gjetjes së mënyrave për ta ruajtur pavarësinë e vet financiare.”
Përveç kësaj, Schlumberger inkurajoi institucionet lokale dhe ato qendrore që tu japin gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe individëve qasje të plotë në dokumentet publike në pajtim me kornizën ligjore. Kjo do të ndihmonte në rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë institucionale, tha ai.
Për ta mbështetur debatin publik për lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur realizimin e pesë debateve televizive. Një debat për lirinë e shprehjes në Internet është transmetuar në RTK 2 me 29 prill. TV Dukagjini, TV Besa and TV Tema do t’i transmetojnë debatet e tyre sonte, kurse Rubikoni i KTV-së, që do të analizojë çështjet e lirisë së mediave në Kosovë, do të transmetohet me 6 maj.
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka për mandat mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut dhe komuniteteve, demokratizimin dhe zhvillimin e sektorit të sigurisë publike.