Parlamentet diskutojnë për rolin mbikëqyrës dhe institucionet e pavarura në seminarin rajonal organizuar nga OSBE-ja, në Tiranë
TIRANË, 21 dhjetor 2010 – Roli mbikëqyrës i parlamenteve dhe marrëdhëniet e tyre me institucionet e pavarura ishin çështjet që u diskutuan në një seminar rajonal dyditor të organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, misione të tjera të OSBE-së në rajon dhe Kuvendi i Shqipërisë, i cili përfundoi sot në Tiranë.
Në seminar morën pjesë anëtarë të stafit të parlamenteve nga vende të Evropës Juglindore, në të cilat misionet e OSBE-së kanë projekte për mbështetjen e parlamenteve.
Pjesëmarrësit nga Shqipëria, Mali i Zi, ish-republika jugosllave e Maqedonisë, Serbia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina shprehën mendimin e përbashkët se parlamentet dhe institucionet e agjencitë e pavarura duhet të bashkëpunojnë më nga afër për të zhvilluar mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në qeverisje.
Pjesëmarrësit studiuan standarde të ndryshme dhe praktikat më të mira të Evropës Juglindore, si dhe zhvilluan rekomandime, të cilat përqendrohen te raportimi i institucioneve të pavarura në parlament, pavarësia dhe cilësia e procesit të zgjedhjes së kryetarëve të institucioneve të pavarura, si dhe autonomia financiare.
"Përvojat e parlamenteve që kanë një histori më të gjatë bashkëpunimi me institucionet e pavarura dëshmon se parlamentet që e ndajnë punën e tyre të lidhur me mbikëqyrjen ekzekutive me institucionet e pavarura e ushtrojnë në mënyrë më efikase funksionin e tyre mbikëqyrës," tha Frank Dalton, shef i Departamentit të Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në Prezencën e OSBE-së.
Oficeri i OSBE/ODIHR-it për Qeverisje Demokratike Ruben Diaz-Plaja shtoi: "Niveli i lartë i debatit dhe bashkëveprimi intensiv dëshmojnë se platforma për shkëmbimin rajonal të praktikave më të mira në fushën e fuqizimit të parlamenteve, e siguruar nga OSBE-ja, është mjaft e dobishme. Nismat e ardhshme do të bazohen mbi rekomandimet dhe përfundimet e këtij seminari".
Marlind Myftiu, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë shtoi: "Seminare të këtij lloji e ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë për t’i ballafaquar me sukses sfidat në rrugën e reformave dhe integrimit Evropian të vendit".
Kjo veprimtari pason një varg veprimtarish të ngjashme të organizuara nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri për deputetët dhe administratën e Parlamentit për fuqizimin e kapaciteteve të tyre, nxitjen e praktikave më të mira legjislative dhe theksimin e rolit të parlamentit në procesin e integrimit Evropian.